Përfaqësuesit e projektit “Platforma për edukim qytetar të të rinjve për luftën kundër radikalizimit (Të rinjtë kundër dhunës) nënshkruan Memorandume për bashkëpunim me Komitetin Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Agjencinë për Rini dhe Sport, Komunën e Çairit dhe Qendrës, gjithashtu dhe me shkollat e mesme “Koço Racin”, “Zef Lush Marku”, dhe “Marija Kiri – Sklodovska” nga Shkupi.
Gjatë nënshkrimit të Memorandumeve në hotelin “Bushi”, morën pjesë koordinatori nacional i Komitetit Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Zlatko Apostolovski, Naumçe Mojsoski si drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport, kryetarët e Komunave të Çairit dhe Qendrës, Visar Ganiu dhe Goran Geramovski, si dhe drejtorët Blagica Pavlovska, Faruk Zeqiri dhe Blerim Nebiu. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së në Shkup, Danica Stosevska, menaxhere e programit.
“Memorandumi u nënshkrua në drejtim të mbështetjes institucionale dhe promovimit të projektit. Në të njëjtën kohë, ky aktivitet krijon kushte për bashkëpunim aktual dhe të ardhshëm në ofrimin e kushteve më të mira të jetesës dhe zhvillimit të të rinjve, sigurimin e një shoqërie të qëndrueshme rezistente ndaj narrativave radikale dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe promovimin e vlerave pozitive për ndërtimin e një rinie të shëndoshë psiko-fizike”- tha Valerija Sokolova – Stojanovska, drejtoreshë e projektit “Platforma për edukim qytetar të të rinjve për luftën kundër radikalizimit (Të rinjtë kundër dhunës).
Koordinatori Nacional i Komitetit Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Zlatko Apostolovski, theksoi nevojën për përfshirje aktive të sektorit civil në aktivitetet për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
“Ne besojmë se qasja e sektorit të shoqërisë civile ndaj kategorive vulnerabël, ku përfshihen familjet dhe njerëzit që janë kthyer nga fushëbetejat e huaja, mund të japë rezultate më të mëdha se sa mund të bëjnë aktualisht institucionet qeveritare. Por kjo nuk e përjashton përfshirjen e institucioneve qeveritare. Në fushën e arsimit kemi bërë një sërë trajnimesh parandaluese, veçanërisht në drejtim të parandalimit të dhunës tek të rinjtë. Për shembull, ajo që ndodhi para disa vitesh kur të rinjtë kishin përleshje në autobusë, tani nuk bëhet fjalë më për ngjarje të tilla, sepse arritëm të ndërgjegjësojmë ekstremizmin kombëtar dhe që të gjithë qytetarët të kenë një kontribut për të parandaluar. “Me qëllim të vetëm që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë një vend i denjë për të jetuar në të cilin qytetarët nuk do t’i ndajmë në baza fetare, etnike apo të tjera, por për të shprehur kreativitetin dhe aftësinë individuale në realizimin e të rinjve dhe ideve të tyre për shoqëri e prosperuar”, tha Koordinatori Nacional i Komitetit Nacional për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Zlatko Apostolovski.
Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsoski, shprehu përkrahje për iniciativën, duke theksuar nevojën që përmes angazhimit të tyre të kontribuojnë në uljen e dhunës tek të rinjtë, si dhe në aktivitete sportive.
“Përfshirja e Agjencisë për Rini në këto aktivitete është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse dhuna ndodh në ndeshjet e tifozëve dhe ne duam të parandalojmë dhe reduktojmë dhunën dhe ekstremizmin në atë zonë.“ Jemi dëshmitarë të ngjarjeve jo të mira, qoftë në baza etnike apo të tjera që duam t’i parandalojmë dhe të ndihmojmë të rinjtë që të mos jenë pjesë e atyre ngjarjeve”, tha drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Naumçe Mojsoski.
Memorandume bashkëpunimi me Platformën kanë nënshkruar edhe kryetarët e komunave të Strugës dhe Kumanovës, Ramiz Merko dhe Maksim Dimitrievski, si dhe me drejtorë të shkollave të mesme dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.
Projekti “Platforma për edukim qytetar të të rinjve për luftën kundër radikalizimit (Të rinjtë kundër dhunës) udhëhiqet nga organizatat Asociacioni i Qytetarëve Iniciativa për Perspektivë Europiane (IPE), NEXUS – Koncepti Qytetar, Shoqata për Zhvillim dhe Aktivizëm AKVA, Strugë, dhe Qendra për Dialog Ndërkulturor (CID). Projekti financohet nga Bashkimi Europian.